Lajm i mirë për Real Madrid përpara ndeshjes në Champions League ndaj Manchester City

Sport

Real Madrid mund të marrë frymë lirshëm. Luka Modriç do të jetë gati për ndeshjen e së Martës në Champions League ndaj Manchester Cityt, e vlefshme për aktin e parë gjysmëfinal së kompeticionit.

Disa ditë më parë, mesfushori pësoi një tërheqje muskulore, që ngriu buzëqeshjen në kampion madrilen. Megjithatë, momenti I vështirë është larguar dhe në kamp është rikthyer qetësia. Në seancën e fundit stërvitore të skuadrës, Modriç është stërvitur normalisht me të gjithë pjesën tjetër të grupit, një tregues ky se gjendja e tij fizike është optimale.

Përpara se të jetë gati për ndeshjen ndaj Manchester Cityt të martën e datës 9, kroati do të jetë gjithashtu I gatshëm edhe për finalen e Kupës së Mbretit këtë të Shtunë, që Real Madrid do e luajë përballë Osasunas.

Nuk dihet me saktësi nëse trajneri Carlo Ançelotti do e përzgjedhë mesfushorin si titullar në formacion, apo do ta aktivizojë në pjesën e dytë.

Pavarësisht 37 viteve mbi shpinë, Modriç ka treguar se mosha për të është thjesht një numër. Ai ka luajtur 44 ndeshje këtë sezon në të gjitha kompeticionet, duke mbetur një element thelbësor I organikës së Real Madrid.

Modriç është në muajt e fundit të kontratës aktuale me Los Blancos, megjithatë kjo duket një situatë e zgjidhshme. Palët kanë arritur akordin për të rinovuar për një tjetër sezon së bashku, me zyrtarizimin që pritet të bëhet në një moment të dytë.