Lajm i shkëlqyer për Juventusin. Federico Chiesa nuk ka pësuar dëmtim në gju, çka do të thotë se do pritet të jetë gati shumë shpejt nën urdhërat e trajnerit Masimiliano Allegri. Në ndeshjen e fundit në kampionat, atë ndaj Interit në “San Siro”, anësori i sulmit u aktivizua në pjesën e dytë, mirëpo vetëm pak minuta më pas, u detyrua të ndërrohej, si pasojë e një shqetësimi në gjurin e djathtë, diçka që padyshim alarmoi kapin juventin.
Megjithatë, asgjë nuk është shqetësuese. Chiesa fluturoi drejt Anstrisë për të kryer një vizitë të specializuar tek doktori që e operoi në gjurin e majtë në vitin 2022. Pas një ekzaminimi, u arrit në përfundimin, që italiani nuk vuan nga një dëmtim në gju. Chiesa është rikthyer në Torino, aty ku ka nisur me përgatitjet për vijimësinë e sezonit.
Lojtarët e Zonjës së Vjetër, të cilët nuk kanë qenë të aktivizuar me përfaqësueset e tyre, janë rikthyer në stërvitje përgjatë ditës së martë. Një shqetësim i vogël për trajnerin Allegri është gjendja fizike e Filip Kostiç, i cili gjatë stërvitjes me Serbinë, ka pësuar një lëndim të lehtë në kavilje. Gjithësesi, situata nuk është alarmante për çështjen në fjalë. Kostiç pritet të jetë gati për ndeshjen e radhës të Juventusit, atë ndaj Veronës në shtëpi, të vlefshme për javën e 28 të Serie A.