Lajm i keq për Romën. Paulo Dybala do të operohet. Dëmtimi në gjurin e majtë, të pësuar në ndeshjen ndaj Cagliarit, ka rezultuar më i rëndë nga sa pritej për lojtarin argjentinas. Ekzaminimet mjekësore kanë arritur në përfundimin se fantazisti ka nevojë të patjetërsueshme për të kryer ndërhyrje kirurgjikale. Në kanalin zyrtar, Roma ka njoftuar se të dyja palët, si lojtari, ashtu edhe klubi, kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të kryer operacionin, e pastaj do të nisë menjëherë procesi i rikuperimit.
Nga të dhënat e para, me shumë mundësi, ky sezon futbollistik konsiderohet i përfunduar për Paulo Dybala, por nuk përjashtohet mundësia që ai të rikthehet në fushë përgjatë javëve të fundit. Mediat italiane thonë se trajneri Claudio Ranieri, do të shpresojë shumë që 31 vjeçari të grumbullohet gati për ndeshjen ndaj Interit në 27 Prill, duke shpresuar më tej, që një javë më vonë, Dybala të jetë plotësisht gati për duelin ndaj Fiorentinës.
Duke qenë se ka nisur faza përfundimtare e sezonit, mungesa e fantazistit konsiderohet një problem i madh për skuadrën verdhekuqe, që për momentin, po kalon formën më të mirë në Serie A, pasi vjen nga 6 fitore radhazi.
Ky edicon futbollistik ka rezultuar me shumë ulje-ngritje për Dybalan, pasi kjo është hera e tretë që ai dëmtohet. Megjithatë, mëngjarashi ia ka dalë të luajë 36 ndeshje në të gjitha garat, të shënojë 8 gola, e të japë 4 asiste për skuadrën e Romës.