Lajm i keq për Manchester City, Rodri mbyll sezonin me dëmtimin e pësuar

Sport

Lajm i keq për Manchester Cityn. Dëmtimi i Rodrit është më shumë serioz sesa u mendua në fillim. Në ndeshjen ndaj Arsenalit, në pjesën e parë, mesfushori pati nevojë për ndihmen e stafit mjekësor. Në fazën fillestare, lëndimi nuk u parashikua të ishte kaq serioz. Siç raportohet, pas vizitave më të detajuara, është arritur në përfundimin se Rodri ka çarë ligamentin e gjurit. Kjo do të thotë se sezoni për spanjollin, ka përfunduar, sepse koha e rikuperimit kërkon rreth 8, apo 9 muaj kohë, në mos edhe më shumë.

Për më tepër detaje, Rodri ka fluturuar drejt Barcelonës, atje ku do t’u nënshtrohet të tjera kontrolleve, që do të përcaktojnë edhe më saktë kohën e rikuperimit.

Ky lajm, është një telash shumë i madh për Manchester Cityn dhe trajnerin Pep Guardiola, i cili, Rodrin, e kishte mesfushorin më të mirë të skuadrës. Në kushte si këto, tekniku i kampionëve të Anglisë, duhet të gjejë një zgjidhje tjetër, për të plotësuar vendin e lënë bosh, pikërisht nga Rodri. Futbollisti që mendohet se do të spostohet, apo përshtatet në atë pozicion, është Mateo Kovaçiç, i cili këtë sezon, ka luajtur në të pesta ndeshjet e kampionatit si titullar.

Megjithatë, merkatoja e Janarit është një tjetër mundësi për Cityn që të ndërhyjë dhe të blejë një futbollist me parametrat e Rodrit.