Lajm i keq për Interin, dëmtohet Mehdi Taremi

Sport

Lajm i keq për Interin në prag të nisjes së sezonit futbollistik. Skuadrës zikaltër i është dëmtuar sulmuesi i ardhur me parametra zero këtë merkato verore, Mehdi Taremi. Informacionet e para bëjnë me dije se shtatlarti i ofensivës ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë, çka do të thotë se pritet të mungojë të paktën 2 javë. Me fjalë të tjera, iraniani rrezikon të mos jetë në dispozicion të trajnerit Simone Inzaghi për ndeshjen hapëse të Serie A, atë ndaj Genoas, në 17 Gusht. Megjithatë, pavarësisht kësaj ngjarjeje aspak positive, kjo nuk do të ndryshojë asgjë në planet e Interit sa i përket merkatos. Mediat matanë detit bëjnë me dije se klubi zikaltër nuk do të ndërhyjë në merkato për një tjetër sulmues. Sa i përket Taremit, duhet thënë se 31 vjeçari kishte nisur të binte menjëherë në dy me kampionët e Italisë, sepse në 3 ndeshje miqësore, kishte arritur të shënonte një total prej 4 golash. Aspekti pozitiv në dëmtimin e Taremit, është fakti se në 5 sezonet e fundit, lojtari në fjalë është ndalur vetëm një herë nga tërheqja muskulore, çka do të thotë se iraniani nuk vuan nga ngërçe të tilla.