Ish-kapiteni gjerman, Philip Lahm beson se humbja tronditëse e kombëtares së vendit të tij në sfidën hapëse të Botërorit mund të jetë një “leksion i mirë”, që do të ndihmojë ish-shokët e tij në objektivin e madh që kanë për të mbrojtur kurorën e kampionëve të botës. Këtë, 34-vjeçar e ka shprehur edhe gjatë një vizite që ka bërë në një shkollë në Moskë, qytet ku gjendet gjatë ditëve të këtij Botërori. “Gjermania ka një skuadër me përvojë. Po i tillë është edhe trajneri Joachim Lov. Besoj se do të dinë si të kapërdijnë këtë humbje. Gjithçka është ende e mundur për ta”, kanë qenë fjalët e njeriut, që ishte një nga udhëheqësit e skuadrës gjermane, 4 vjet më parë në Brazil. Disfata e së dielës ishte ndeshja e parë hapëse e humbur nga Gjermania në 36 vitet e fundit. Kjo ka nisur të shqetësojë paksa tifozët dhe ambientin gjerman.
Aq më tepër duke parë edhe paraqitjen jo të mirë që dhuroi skuadra gjatë ndeshjes me Meksikën. Shpjegimi i Lahm mbi paraqitjen lidhet më shumë me aspektin fizik: “Mendoj se skuadra nuk ka arritur formën maksimale. Gjë që është e mundshme, duke ditur se është vetëm fillimi i Kupës së Botës dhe programi i përgatitjeve është i tillë që synon arritjen e maksimumit me kalimin e ndeshjeve që sa vijnë e bëhen më të forta. Gjithsesi kam besim se ky hap prapa që Gjermania tregoi ndaj Meksikës, do t’i shërbejë si mësim, për të mbledhur forcat në mënyrë që të tregojë fytyrën e vërtetë që në ndeshjen e radhës kundër Suedisë”, ka deklaruar Lahm. Ai gjithashtu ka kujtuar edhe se një situatë pak e ngjashme ndodhi edhe në Brazil 2014, kur rezultatet jo bindëse ndaj Serbisë dhe Ganës bënë që gjermanët të mblidhnin veten, për të mos u ndaluar më pas deri në finalen e fituar me Argjentinën.