Vazhdon luhatja e rezultateve për Realin e Madridit. Pas humbjes me Valencian dhe fitores me vështërsi me Villarrealin, skuadra e Zinedine Zidane la 2 pikë përballë Las Palmasit në Bernabeu, duke barazuar 3-3. Isco zhbllokoi ndeshjen me një gol që në minutën e 8-të dhe dha idenë se gjërat do ishin të lehta për Los Blancos, por nuk rezultoi kështu. Tanausu barazoi rreth 2 minuta më pas dhe Reali i Madridit ndjeu menjëherë një presion në rritje. Në pjesën e dytë gjërat i vështërsoi edhe më tej Gareth Bale. Uellsiani u ndëshkua me karton të kuq pasi humbi toruan duke iu hakërryer Jonathan Vieras edhe pse më parë kishte shkaktuar vetë një faull të pakuptimtë. Me një lojtar më pak madrilenët e panë shumë shpejt veten të përmbyseshin 1-3. Pikërisht Viera shënoi me penallti e më pas Boateng e coi avantazhin në 2 gola. Me këtë dinamikë dëshpërimi në shkallët e stadiumit ishte më se i dukshëm. Sidoqoftë Zidane ndryshoi skuadrën menjëherë. Lucas Vazquez, James Rodriguez dhe Benzema u hodhën në fushë dhe loja mori krejt tjetër rrjedhë. Sidoqoftë u desht të vinin minutat e fundit ku Cristiano Ronaldo të nxirrte dy gola. Gola që e shpëtojnë Zidane-in nga një humbje e beftë. Me këtë barazim Reali zbret në vendin e dytë duke i lëshuar kreun Barcelonës. Ngushëllimi tanimë është fakti se ata kanë një ndeshje më pak, por sidoqoftë forma e luhatshme po gjen shumë kritika nga shtypi.