La Liga, Reali i Madridit përmbys 4-1 Gironan, vendimtare treshja Ramos-Benzema-Bale

Sport

real girona
Dy penallti, dy gola të Benzemasë dhe nga një të Ramos dhe Bale, i mundësuan Realit të Madridit përmbysjen 4-1 në transfertën me Gironan. Në Municipal de Motilivi sfida nisi me mjaft vështirësi, kjo pas golit të Borja Garcias. Minutat e para në fakt ishin tejet zhgënjyese. Girona pati edhe raste të tjera për të shënuar, ndërkohë në minutën e 39-të, nga gjyqtari Munuera u përdor edhe sistemi VAR për të akorduar një penallti në favor të Realit të Madridit. Nga pika e bardhë Sergio Ramos u tregua i saktë dhe e dërgoi skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë. Për kapitenin ky ishte gol domethënës pasi shënon të 15-in sezon me gol në karrierë.

bale

Pjesa e dytë nisi fillë me Realin në sulm, ndërsa një tjetër penallti u akordua. Kësaj radhe ishte Benzema ai që shënoi. Tetë minuta më pas, Gareth Bale realizoi një gol tipik prej të tijëve. Vrapim i çmendur nga e djathta, kontroll topi dhe goditje precize drejt e në rrjetë. Me Golin e tretë Girona u dorëzua dhe la shumë hapësira, hapësira të cilat i shfrytëzoi si duhet skuadra e Lopeteguit, Bale asistoi Benzemanë në minutën e 80-të dhe Reali vulosi shifrat në 4-1. Me këtë fitore madrilenët marrin kryesimin falë golavarazhit, edhe pse Barcelona ka gjithashtu 6 pikë sa ata. Pas kësaj fitoreje, shtypi ka lakuar Benzemanë dhe Bale-in, si lojtarët kyc të cilët mund t’ia shërojnë plagët e këtij fillim-sezoni skuadrës Los Blancos.