La Liga/ Real Madrid dhe Barcelona nuk gabojnë përpara “El Clasicos”

Sport

Real Madrid dhe Barcelona nuk gabojnë përpara “El Clasicos”. Një javën e 8-të të kampionatit, Los Blancos fituan minimalisht 1-0 në transfertën e Getafes. Golin e vetëm të sfidës e shënoi Eder Militao që në minutën e 4. Braziliani ia doli të finalizontë në ndeshjen e tij të 100-të për Realin në të gjitha kompeticionet.

Kjo është vetëm hera e 5-të në histori që Reali numëron plus 7 fitore në kampionat, ndërkohë që nuk ka pësuar ende humbjen e parë. Në 4 rastet e mëparshme kur e kanë prekur një statistikë të tillë, Los Blancos ia kanë dalë që në fund të shpallen kampionë të La Ligas. Hera e vetme kur ata nuk ia dolën të triumfonin, por u renditën në vendin e dytë, i përket sezonit 91/92, atëherë kur në 8 javë, kishin të njëjtat shifra sikurse të këtij sezoni, 7 fitore dhe një barazim.

Më tej, po me rezultatin 1-0 ka fituar edhe Barcelona në sfidën ndaj Celta Vigos, të luajtur në Camp Nou. golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Pedri në minutën e 17-të të pjesës së parë. Që prej momentit kur është bërë pjesë e skuadrës, ky ishte goli i 8-të i realizuar në La Liga për mesfushorin e talentuar të Barcelonës dhe këtë e ka bërë duke regjistruar vetëm 16 goditje në drejtim të portës. Një tregues ky se Pedri zotëron një preçizitet të lartë kur është fjala për gjuajtjes drejt katërkëndëshit.

Jo vetëm kaq. Në 8 javë, Barcelona ka pësuar vetëm një gol në kampionat. Kjo është ecuria më e mirë në mbrojtje e skuadrës katalanase që nga sezonit 2014/15, atëherë kur në të njëjtën fazë e kishin portën ende të paprekur.

Në këtë mënyrë, Barcelona dhe Real Madrid udhëheqin tabelën e klasifikimit me nga 22 pikë, ndërsa javën e ardhshme, dy gjigantët spanjollë do përballen mes tyre në “Santiago Bernabeu”, ndeshje ku të dyja skuadrat do kenë mundësinë për të marrë të vetme kreun e renditjes.