Akademia e Barcelonës, e njohur me emirn La Masia është padyshim aseti më i çmuar i katalanasve. Yje të klasit botëror kanë dalë që andej dhe dy dhjetëvjeçarët e fundit janë dominuar pikërisht nga talentet e kësaj strukture zinxhire. Por për herë të parë në 16 vitet e fundit, të martën mbrëma, Barcelona luajti me asnjë lojtar produkt të La Masias në fushë, një fakt ky që riktheu në mediat spanjolle rëndësinë që ka për Barçën kjo strukturë sportive. Ernesto Valverde përballë Celta Vigos vendosi të luajë me rotacion dhe asnjë nga 11-ja titullare nuk ishte në fushë. Vëmendja absolute shkon natyrisht për te finalja e Kupës së Mbretit.
Messi, Pique, Busquets, Iniesta apo Roberto nuk ishin në fushë. Gazeta Marca theksoi të mërkurën se një formacion i katalanasve pa asnjë produkt të akademisë nuk ndodhte që prej 6 prillit të vitit 2002 kur ata ndesheshin me Athletic Bilbaon. Të martën ndeshja me Celta Vigon u mbyll barazim 2-2. Edhe pse jo një fitore, në letër Barcelona e Valverdes vulosi një rekord. 33 ndeshje pa humbje në një sezon të La Ligas, tejkalohet kështu rekordi i Realit të vitit 79-80 që ndalej pas 32 ndeshjesh. Po kështu tejkalohet Real Sociedadi me 39 ndeshje radhazi pa humbje. Përpara janë edhe 5 javë dhe synimi është që sezoni të mbyllet pa humbje, por sfida e vërtetë është El Clasico i 6 majit.