La Liga, Barcelona fiton 6-1 dhe merr kreun, Enrique konfirmon largimin

Sport

barcelonaweb

Barcelona shënoi një fitore tenistike 6-1 duke përfituar plotësisht nga ndalesa e radhës e Realit të Madridit. Në përballjen e së mërkurës mbrëma kundër Sporting Gijon në Camp Nou, katalanasit u shfryen totalisht duke mos kursyer asnjë aksion. Miqtë përballuan nivelin e lojës vetëm për 20 minuta, pasi në të 27-ën, Messi-Suarez dhe Neymar i cuan shifrat në 3-1. Pjesa e dytë ishte me të njëjtin nivel loje. Në total katalanasit organizuan plot 25 aksione për gol, ku mundën të konkretizonin edhe 3 herë të tjera. Paco Alcacer dhe Rakitic ishin ato që iu bashkuan treshes së sulmit duke pllakosur një fitore të thellë 6-1. Një rezultat i tillë, me kaq gola për Barcelonën qe arritur edhe ndaj Deportivo Alaves, përpara humbjes 4-0 me PSG në Champions League. Pas kësaj fitoreje të radhës katalanasit i ngjiten vendit të parë në La Liga me 57 pikë, 1 më shumë se Reali i Madridit, që ka një ndeshje të prapambetur. Por ndërkohë, përtej parakalimit të madrilenëve, lajmi kryesor u bë deklarata e Luis Enriques pas ndeshjes. Trajneri asturian konfirmoi atë që përflitej prej kohësh. Ai nuk do të jetë më drejtues i Barcelonës vitin e ardhshëm. “E kam menduar prej kohësh, dhe them se e kam menduar shumë, nuk do të vazhdoj më tej, në fund të sezonit do të largohem” – u shpreh Luis Enrique, i cili pak ditë më parë pati marrë mbështetje nga kapiteni Iniesta. Enrique theksoi se ky vendim nuk e bën më pak të motivuar për ta mbyllur me sukses përvojën me katalanasit, dhe se synimi më madhor është përmbysja e rezultatit 4-0 të PSG në Champions League.