La Liga, Barcelona drejt rekordeve në Spanjë!

Sport

barcca

Barcelona e Valverdes mbetet ende e pamposhtur në kampionatin spanjoll, ndërkohë që vazhdon rrugëtimin edhe në Champions League, ku do të luajë në çerekfinale përballë Romës. Ndërsa nuk duhet te harrohet as finalja që katalanasit do të luajnë përballë Sevillas për “Kupën e Mbretit”. Megjithatë, tani që çështja e titullit kampion në La Liga duket si diçka e mbyllur, blaugranat mund t’u drejtohen rekordeve e të shkruajnë një kapitull te ri në historinë e futbollit. 

barca23

Nëse Barcelona këtë sezon e mbyll pa asnjë humbje në kampionat, atëherë ata do të barazojnë rekordin e Real Sociedad, të vendosur rreth 38 vite më parë, kur nga 1979 deri në 1980-n, regjistronte 38 ndeshje radhazi pa humbje. Kur kanë mbetur edhe 9 sfida për t’u zhvilluar, mes te cilave spikasin edhe përballje kundër skuadrave si Sevilla, Valencia, Villareal apo edhe “El Classico” me Real Madrid, Barcelona duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet për të arritur rekordin e madrilenëve në sezonin 2011-2012, te cilin e mbyllën me 32 fitore në total. Nga ana e tyre, të besuarit e Valverdes numërojnë deri më tani 23 fitore dhe 6 barazime.

barca4
Në rast se blaugranat do t’ia dalin të realizojnë këtë, ata do të shkojnë në kuotën e 102 pikëve, që do të ishte një rekord i ri pasi dy rivalët e përjetshëm në Spanjë janë ndalur në 100 pikë, te cilat Real Madrid i arriti gjithashtu në sezonin 2011-2012, ndërsa katalanasit një vit më pas.Por përpos këtyre rekordeve, ai që padyshim mund të jetë më i lakmuari është fitimi i titullit kampion pa asnjë humbje. Në Spanjë, diçka të tillë e ka arritur Athletic Bilbao në sezonin 1929-1930, por edhe Real Madrid në 1931-1932. Në ligat kryesore, skuadra e fundit që ka shënuar një arritje të tillë është Juventus në sezonin 2011-2012, kurse më parë ia kanë dalë edhe Milani apo Arsenali.

Një tjetër skuadër në këtë listë është edhe Celtic, që vitin e kaluar e mbylli me 47 ndeshje pa humbje në kampionat dhe në Kupën skoceze. Duke parë kalendarin e ndeshjeve të mbetura, shumë tifoze mund ta shohin me skepticizëm thyerjen e këtyre rekordeve, por kur bëhet fjalë për një skuadër si Barcelona e lojtarë si Messi, atëherë çdo rekord mund të arrihet.