La Liga, Barcelona dërrmon Huescan 8-2, ndërsa Sevilla humbet derbin me Betisin

Sport

brc huesca
Sociedad Deportiva Huesca kishte mundur të marrë dy rezultate surprizuese nga dy javët e para të kampionatit spanjoll duke barazuar me Athletic Bilbaon dhe duke fituar ndaj Eibarit. Por duhej të vinte java e tretë që kjo skuadër të tregonte mungesën e përvojës për sa i përket përballjes me ekipet e mëdha. Në sfidën me Barcelonën në Camp Nou, Huesca u dërrmua 8-2 duke regjistruar kështu rezultatin më të thellë të këtij sezoni. Interesante ishte se ishin miqtë ata që kaluan në avantazh me Cuchon në minutën e 3-të, por fillë u përmbysën me një gol të Messit, një autogol të Pulidos dhe një realizim tjetër prej Suarezit. Tre minuta përpara fundit të pjesës së parë Gallar ngushtoi diferencat në 3-2 duke dhënë iluzionin se gjërat nuk ishin dhe aq keq për skuadrën e Leo Francos.

sevilla betis

Por në fraksionin e dytë të lojës grupi i Ernesto Valverdes nuk shpërdëroi asnjë nga shanset e që pati dhe shënoi plot 5 gola të tjerë. Dembele, Rakitic, Alaba dhe sërish Messi e Suarez rrumbullakosën shifrat 8-2. Me këtë fitore katalanasit barazojnë Realin me 9 pikë nga 3 javë të luajtura, por falë golavarazhit më të mirë mban vendin e parë. Ndërkohë nga ndeshjet e së dielës ra në sy hapi i gabuar i Sevillas në derbin me Real Betisin. Grupi i Quique Setien mori maksimumin duke përfituar nga fakti se “Rojiblancos” mbetën me 10 lojtarë pas daljes së Mesas me të kuq. Ishte Joaquin ai që realizoi 10 minuta përpara fundit, golin e vetëm të takimit duke i dhënë kështu bardhegjelbërve fitoren e parë sezonale.