Luhatjet e rezultateve për Atleticon e Madridit vazhduan edhe të enjten mbrëma, kur skuadra e Diego Simeones dështoi të fitonte ndaj Deportivo La Corunas në javën e 25-të të La Ligas. Pas humbjes 1-2, të dielën ndaj Barcelonës, “Los Rojiblancos” kërkonin reagimin, por e panë veten në disavantazh që në minutën e 13-të. Në Riazor të La Corunas, Andone shtangu madrilenët duke ua bërë tejet të vështirë ndeshjen. Duhet thënë se Deportivo është një nga skuadrat me formën më të dobët në Spanjë. Ajo nuk fiton që prej 12 dhjetorit të vitit të kaluar, por sidoqoftë kjo nuk e pengoi të shfaqë më të mirën përballë Atleticos. Për madrilenët, goli i barazimit u shënua në minutën e 68-të nga një perlë e Antoine Griezmann. Francezi tregoi dhe njëherë se mbetet i rëndësishëm për skuadrën e Siemones, dhe jo më kot klubet më të mëdha në Evropë i kanë hedhur sytë te ai. Sfida u mbyll 1-1 dhe me këtë ndalesë të radhës Atletico mbetet në vendin e 4-ët me 46 pikë, 11 pikë larg Barcelonës kryesuese. Ndërkohë nga e enjtja, Sevilla shënoi një fitore të rëndësishme duke mundur 1-0 Athletic Bilbaon. Andaluzët u treguan të zotë duke shënuar me Iborran që në minutën e 14-të e më pas ta mbronin rezultatin. Një fitore minimale, por që e mban skuadrën e Sampaolit në lojën për titull pasi tashmë janë në kuotën e 55 pikëve, dy më pak se katalanasit e vendit të parë.