La Copa, Reali fiton 3-0 ndaj Numancias, rikthehet Gareth Bale

Sport

realmadirnd

Ajo që ka rëndësi në fund është vetëm rezultati, kështu u shpreh Zinedine Zidane pas fitores që Reali i Madridit arriti në takimin e parë të Copa Del Rey kundër Numancias. Në sfidën e luajtur të enjten mbrëma, të vlefshme për 1/8-at, Los Blancos ishin pa Cristiano Ronaldon dhe vetëm me Bale dhe Theo Hernandez lojtarë të huaj, 9 të tjerët ishin spanjoll. Numancia, megjithëse një skuadër nga kategoria e dytë, arriti t’i bëjë ballë Realit, por vetëm për 35 minuta, kur madrilenët fituan një penallti të cilën e ktheu në gol Gareth Bale. Në pjesën e dytë vendasit mbetën me 10 lojtarë pas deljes me të kuq të Diamanka, ky i fundit i shkeli këmbën Nachos. Por duhet thënë se Reali pati fat, pasi edhe pse me 10 lojtar, Numancia iu afrua barazimit kur një goditje nga mesi i fushës u ndal nga shtylla. Për të marrë një rezultat më premtues, Zidane hodhi në lojë Iscon, ky i fundit realizoi po me një penallti në minutën e 89-të dhe 2 minuta më pas kishte kohë edhe për një gol të Borja Mayoral. Ndeshja e kthimit luhet në Bernabeu më 10 janar. Pavarësisht mënyrës së lojës, fitorja 3-0 me Los Pajaritos duket se e kënaqi Zidane-in. Pas ndeshjes ai tha se ajo që ka rëndësi është rezultati. Ai vlerësoi rikthimin e Gareth Bale dhe tha se po mendon që tani për ndeshjen e kthimit se cilët lojtarë duhet të luajnë dhe cilët meritojnë një pushim.