Pas rreth një dekade humbjesh, Espanyoli i Quique Sanchez Flores shtangu të mërkurën Barcelonën duke e mundur atë 1-0. Në derbin e parë katalan të vlefshëm për çerek-finalet e Copa del Rey, vendasit e Espanyolit arritën t’i bënin ballë Messit dhe kompani që vinin me një bilanc prej 16 golash të shënuar në 5 ndeshejt e fundit. Në një lojë tejetë të luftuar dhe shpesh edhe me kontraste të ashpra, Barcelona shpërdëroi disa raste me Busquetsin, Leo Messin apo dhe me Denis Suarezin. Në pjesën e dytë nga krahu i djathtë ishte tejet aktiv Sergi Roberto. Ky i fundit arriti të fitojë një penallti të cilën Lionel Messi nuk arriti ta shndërrojë në gol. Ish-portieri i Realit të Madridit Diego Lopez u shfaq i pakalueshëm duke i mohuar golin argjentinasit. Pas këtij momenti skuadra e Sanchez Flores u bë më agresive, loja vazhdoi të ishte e ashpër. Gjyqtari Bongoetxea nxorri në total 9 kartonë të verdhë, ndërsa 2 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Melendo mposhti portierin Cillesen duke ndezur tërësisht tifozët e Espanyolit që një gëzim ndaj Barcelonës nuk e shijonin që prej vitit 2009-të. Pas kësaj humbjeje Barca e Ernesto Valverdes rikthehet me këmbë në tokë. Ata nuk ndaleshin që prej muajit gusht, saktësisht 29 takimesh radhazi, që kur përballë në fillim të sezonit kishin Realin e Madridit në Super-Kupë. Vëmendja në kampin e 29-herë kampionëve të Kupës së Mbretit do të shkojë fillimisht në kampionat ku do përballen me Betisin e më pas më 25 janar do të rindeshen me Espanyolin në shtëpi, me detyrën për ta përmbysur rezultatin 1-0 të sfidës së parë, sfidë prej së cilës tashmë, sipas trajnerit Valverde, favorite është skuadra e Quique Sanchezit.