La Copa, Barcelona kualifkohet duke mundur 2-0 Espanyolin, debuton Coutinho

Sport

Espanyolin

Barcelona e Ernesto Valverdes nuk zhgënjeu pritshmëritë duke përmbysur Espanyolin në Camp Nou e duke siguruar kështu gjysmë-finalet e Copa del Rey. Pas humbjes me rezultatin 1-0 të sfidës së parë, 29-herë kampionët e Kupës duhej të fitonin me 2 gola diferencë dhe pikërisht këtë gjë bënë. U deshtën vetëm 25 minuta për të arkivuar objektivin. Dyshja Suarez-Messi realizoi nga një gol dhe pjesa tjetër e ndeshjes ishte vetëm spektakël. Espanyoli e kishte jashtë mase të vështirë të zotëronte topin, në një kohë kur Barcelona qarkulloi me lojën e saj për 75% të ndeshjes. Statistikat në fund folën për vetëm 2 goditje në kuadrat nga Espanyol, goditje të neutralizuara prej Cillessen. Espanyol nëse realizonte një gol do të mund të kualifikohej, por kjo gjë nuk u arrit dhe shifrat përfundimtare ishin 2-0 aq sa i duhej skuadrës së Valverdes që regjistroi ndeshjen e 10-të në 15 sfidat e fundit me rrjeta të paprekura. Por mbrëmja e së enjtes ishte domethënëse për dy lojtarë. Javier Mascherano i dha fund lidhejs së tij me Barcelonën, pas 8 vitesh në Camp Nou. Me tre fëmijët e tij ai pati një “standing-ovation” tejet emocionues. Por ndërsa argjentinasi largohet, një tjetër debuton. Numri 14-të ishte sërish në fushë të enjten, por me një emër tjetër, atë të Coutinhos. Braziliani realizoi ëndrrën e tij duke luajtur përkrah Messit në Camp Nou. Përgjatë gjithë takimit përjetoi emocionet nga stoli deri në minutën e 68-të kur zëvendësoi Andres Iniestan, nën duartrokitjet dhe brohoritjet e tifozëve katalan.