La Copa, Barcelona fiton 1-0 ndaj Valencias, çdo gjë mbetet e hapur

Sport

barcelona valencia

Super-sfida e parë Barcelona-Valencia e gjysmë-finales në Copa del Rey, u mbyll me një fitore minimale 1-0 për katalanasit. Në Camp Nou në fushë nga fillimi ishte dyshja Messi-Suarez, por megjithatë ata hasën vështirësi. Pjesa e parë foli vetëm për skuadrën e Ernesto Valverdes, që synon titullin e 30-të të Kupës. 79% zotërim topi, por shumë pak aksione me goditje në portë. Për Valencian e Marcelinos skuadra vinte pas 3 ndeshjesh të luajtura në 7 ditë, 1 prej të cilave me 120 minuta lojë, pikërisht përballja cerek-finale me Deportivo Alaves. Për të shmangur sfilitjen e lojtarëve, trajneri spanjoll veproi sërish me rotacion. Kështu në stol ishin Zaza dhe Mina, por vetëm ky i fundit u aktivizua. Në anën tjetër, Valverde aktivizoi Coutinhon në vend të Vidal dhe loja u bë edhe më konkrete për Barcelonën. Braziliani dha sinjalet e para të përshtatjes me filozofinë katalane, ndërsa dyshja Messi-Suarez prodhuan golin që zhbllokoi rezultatin në minutën e 67-të. Valencia u përpoq të reagojë, por në asnjë moment nuk e vuri në rrezik portierin Cillessen. Rezultati përfundimtar ishte 1-0. Megjithatë çdo gjë mbetet e hapur për sfidën e kthimit që luhet në Mestalla më 8 shkurt. Valencia ka 4 ndeshje radhazi që nuk fiton dhe në fundjavë luan kundër Atleticos, ndeshje që vendos shumë për një vend në Champions League.