L’Equipe kërkon ndjesë, Verrati e Matuidi nuk bënë jetë nate përpara përballjes me Barçën

Sport

frsfzxghg

L’Equipe tërhiqet dhe kërkon ndjesë, Marco Verratti e Blaise Matuidi nuk qenë dëfryer me jetë nate dy ditë përpara përballjes me Barcelonën në Champions League. Lajmi rezulton të ketë qenë i rremë dhe gazeta prestigjioze franceze i ka kërkuar të falur publike me një artikull special. Sipas raportimit të asaj kohe, më datë 6 mars, dy yjet e PSG patën kaluar një natë të shfrenuar në klubet e Parisit, përpara se të udhëtonin për në Barcelonë, ku më 8 mars u mundën me një rezultat turpërues 6-1 duke u eliminuar nga Champions League-a. L’Equipe të nesërmen e asaj ndeshje e pati në faqe të parë këtë raportim dhe ambienti u përball me shumë pakënaqësi të tifozëve. Verratti dhe Matuidi e patën përgënjeshtruar në mënyrë të ashpër këtë lajm, por dëmi gjithsesi ishte bërë. Përmes një ndjese publike, L’Equipe shkroi të hënën mbrëma se pas disa hulumtimeve më të sakta gazeta kishte zbuluar se burimet e saj të informacionit nuk ishin informuar mirë. Lajmi pra kishte qenë totalisht i rremë. Gazeta prestigjioze theksoi se do të angazhohej edhe më tepër për lajmet që e presin për të ardhmen që këto situata të mos përsëriten. “L’Equipe i kërkon ndjesë dy lojtarëve Verratti e Matuidi, por edhe vetë klubit të PSG, për dëmet që ai raportim solli” – lexohej ndër të tjera nga shkrimi i kësaj gazete. Nga pala tjetër, ashtu sikurse ia do puna, dy yjet e PSG e kanë marrë me sportivitet duke i pranuar ndjesat dhe duke thënë se për ta e vërteta ishte ngushëlluese.