Largimi i LeBron James nga Cleveland Cavaliers ka bërë që skuadra nga Ohio të mos cilësohet më si favorite në ‘Konferencën e Lindjes’, duke lënë betejën për titull mes Toronto Raptors dhe Boston Celtics. Mirëpo ylli i këtyre të fundit duke i binur se skuadra nga Masaçusets do arrijë finalen e madhe sezonin e ardhshëm. Kyrie Irving është padyshim një nga lojtarët më të mirë të NBA në dekadën e fundit, dhe lideri i Boston Celtics duket se e ka lënë pas dëmtimin që mori në fund të sezonit të kaluar, dhe synon vetëm titullin kampion.
“Në një finale me 7 ndeshje mund të fitojmë ndaj Golden State, për këtë jam i bindur. Natyrisht që sezoni nuk ka nisur ende, por kemi objektiva të qartë për këtë kampionat. Vitin e kaluar patëm disa dëmtime në fund të sezonit, që na kushtëzuan jo pak, por shpresoj që të mos përsëriten më. Ndaj synojmë titullin si në Lindje ashtu dhe në NBA.” Irving ndalet edhe tek Los Angeles Lakers, të cilët me afrimin e lojtarëve si LeBron James e Rajon Rondo priten të jenë më kompetitivë, por theksoi se Golden State mbetet skuadra për t’u mundur. “Unë e di forcën reale të ekipit tonë, kemi lojtarë të talentuar dhe të uritur për fitore. Kam patur mundësinë të luaj 3 herë në finalet e NBA-së ndaj Warriors dhe di se si interpretohen ato ndeshje. Lakers janë kthyer aty ku e meritojnë të jenë. Tashmë do të ketë më shumë rivalitet dhe do të jetë bukur të përballem me ta.”