Një spektator i interesuar i gjysmëfinales mes Kroacisë dhe Anglisë ishte Kylian Mbappe, i cili bashkë me Francën e tij priti për të njohur kundërshtarin që do të përballojë në finalen e madhe të Moskës. E në fund, “gjelat” francezë mësuan që do të përballen me Kroacinë, surprizën e madhe të këtij Botërori. Në gjysmëfinale u eleminua Anglia, për kënaqësinë e vetë asit francez të Paris SG. Kylian, në fakt, gjatë ditëve të fundit, ishte sulmuar nga tifozët anglezë nëpër rrjetet sociale. Kështu që në fund të ndeshjes së të mërkurës, mori hak në mënyrën e tij. Pikërisht duke publikuar një “story” në Instagram, ku ironizonte fansat anglezë që gjatë ditëve të fundit, kishin parashikuar rikthimin në shtëpi të Kupës së Botës. “Vërtet po kthehet në shtëpi? E pamundur”, është mjaftuar të shkruajë Mbappe. Teksa më pas ka shtuar se i vjen keq, pasi e pëlqen Anglinë. Por sipas tij, një përgjigje të tillë meritojnë ata që i kanë dërguar mesazhe pa kuptim dhe ofendime.
Një revansh i vogël nga ana e talentit francez, që së fundi ishte kritikuar nga anglezët sidomos për sjelljen e tij në fushë. Disa i kishin uruar të humbte ndaj Anglisë, ndërsa disa të tjerë e kishin paralajmëruar se nuk do ta kishte të lehtë në një sfidë të mundshme finale kundër Kombëtares së Southgate. “Nëse do të kalojë Anglia, të premtoj se Tri Luanët do të masakrojnë dhe do të pështyjnë jashtë. Kjo është ajo që merr, kur je arrogant si ti”, ishte një nga mesazhet e shumta në adresë të Mbappe. Megjithatë si përfundim nuk do të ketë përballje me Anglinë. E kjo është një arsye kënaqësie për francezin.