Kylian Mbappe vishet zyrtarisht i bardhë. Në Santiago Bernabeu, sulmuesi është prezantuar si lojtar i Real Madrid, përpara një stadiumi të mbushur me më shumë se 80 mijë njerëz.Francezi ishte përgatitur mirë për një ditë si kjo, aqsa fjalët e para si lojtar i kampionëve të Europës i tha në Spanjisht.
“Kjo që po ndodh është thjesht e jashtëzakonshme. Këtë moment e kam ëndërruar për vite me radhë dhe tani jam një djalosh i lumtur, sepse ëndrra ime u bë realitet. Jam gati të jap edhe jetën time për këtë klub dhe për këtë fanellë. Nuk do të vazhdoj të flas gjatë, sepse ndryshe do të qaj” ka thënë Mbappe, i cili në fund të fjalimit, i ktheu tifozët madrilenë 15 vite pas në kohë, duke bërë të njëjtën mbyllje siç bëri Cristiano Ronaldo.
Kylian ka firmosur një kontratë 5 vjeçare me Real Madrid, nga e cila do të përfitojë mbi 20 milionë euro neto në vit, ndërsa mbi shpinë, do të mbajë veshur fanellën me numrin 9. Sezoni i ri futbollistik po troket, kështu që tempulli Bernabeu po bëhet gati për të shijuar magjinë e galaktikut të radhës për vite me radhë.