Kylian Mbappe: Nuk duhet të kisha luajtur ndaj Bayernit

Sport

Kylian Mbappe është penduar që u aktivizua me Bayern Munich. I rikthyer në stërvitje me skuadrën, vetëm një ditë përpara ndeshjes, trajneri Christophe Galtier vendosi ta grumbullonte për duelin e parë të 1/8-tave ndaj bavarezëve.

Ndonëse e nisi takimin nga stoli, Mbappe zbriti në fushë në minutën e 57-të. Ndonëse realizoi 2 gola, asnjë prej tyre nuk ishte i vlefshëm, për shkak të pozicionit jashtë loje.

Sidoqoftë, Mbappe ndihet i penduar që luajti ndaj skuadrës gjermane.

“Nuk duhet të kisha luajtur. Nuk isha në gjendjen më të mirë fizike, por doja të ndihmoja shokët e skuadrës. U përpoqa, por nuk ia dola dot. Më tepër dola të luaja, për të mos u penduar më vonë”, ka thënë si fillim 24 vjeçarit.

Bayerni fitoi 1-0 në tokën franceze, sidoqoftë asgjë nuk është mbyllur. Madje, Mbappe shpreson se PSG mund të bëjë surprizën e madhe në Gjermani, të fitojë dhe të kualifikohet për më tej.

“Këto janë ndeshje për të cilat ne luajmë dhe për të cilat punojmë. Do shkojmë në Gjermani për të fituar. E dimë se gjithçka është e hapur dhe mundësitë janë aty për të siguruar biletën drejt raundit tjetër”, janë fjalët e nënkampionit të botës.

Deri në këtë fazë të kompeticionit, Mbappe është golashënuesi më i mirë i Champions League, me 7 finalizime, në të njëjtën kuotë me Mohamed Salah të Liverpool.