Kylian Mbappe kritikohet ashpër nga Leonardo: Duhet të largohet nga PSG, nuk është lider

Sport

Kylian Mbappe kritikohet ashpër nga ish-Drejtori Sportiv i PSG, Leonardo. Në një prononcim për mediat, braziliani është shprehur se Mbappe duhet të largohet sa më parë nga skuadra, sepse ai nuk është një lider dhe nuk ka aftësinë për ta udhëhequr skuadrën drejt lavdisë europiane.

“Për të mirë të PSG, mendoj se ka ardhur koha që Mbappe të largohet prej andej. PSG ka ekzistuar përpara se të ishte Mbappe, dhe do të ekzistojë pasi të largohet ai. Ai është pjesë e skuadrës prej 6 sezonesh dhe përgjatë kësaj kohe, 5 klube të ndryshme kanë triumfuar në Champions League dhe asnjë prej tyre nuk ka pasur në organikë lojtarin Kylian Mbappe. Kjo do të thotë se është mëse e mundshme që Champions League të fitohet edhe pa të. Duke marrë parasysh sjelljen e tij në 2 edicionet e fundit, Mbappe ka treguar se ai nuk është ende në nivelin e duhur për të udhëhequr një ekip drejt suksesit. S’ka dyshim që Mbappe është një lojtar i madh, një golashënues i mirë, por ai nuk është një lider dhe rreth tij nuk mund të ndërtosh dot një skuadër”, janë fjalët e Leonadros, drejtuar 24 vjeçarit.

Në pritje të një përgjigjeje nga ana e vetë Mbappe në drejtim të Leonardos, e ardhmja e francezit vijon të zgjatet dhe të mbetet e diskutueshme. Ai ka ende edhe një vit kontratë me PSG, por ka vendosur që të mos rinovojë. Në kushte si këto, në mediat e huaja është raportuar se këtë verë, largimi i sulmuesit nga “Parc des Princes”, duket i sigurt.