Kylian Mbappe drejt Real Madrid, ja arsyeja që çështja nuk bëhet publike

Sport

Saga e Kylian Mbappe vazhdon, por ajo po vjen drejt fundit. Ylli Francez është në vitin e fundit të kontratës me PSG dhe mundësitë që ai të mos rinovojë tashmë janë reale.

Përgjatë ditëve të fundit, mediat ndërkombëtare kanë raportuar se sulmuesi e ka vendosur të ardhmen e tij. Ne verë, Mbappe do të transferohet në radhët e Real Madrid dhe kjo do te ndodhë me parametra zero.

Në fakt, për diçka të tillë, nuk është hera e parë që flitet me kaq siguri, por këtë herë situata duket më ndryshe se herët e kaluara. Parisi është dorëzuar, e ka pranuar vendimin e lojtarit për të mos rinovuar, por çështja nuk për nbehet publike vetëm për një arsye. Siç përcillet nëpërmjet raportimeve, presidenti i klubit parizien, Al Khelaifi i ka kërkuar lojtarit që vendimin e tij të mos e bëjë publik në këtë fazë, sepse duke qenë se jemi vetëm në muajin Shkurt, atëherë skuadra e PSG mund të shpërqendrohet dhe vëmendja të mos jetë maksimale në fushën e lojës, çka do të bënte që të rrezikoheshin gjithashtu edhe objektivat sezonalë.

Mbappe e ka pranuar këtë pakt me presidentin, për shkak të marrëdhënies së tyre mjaft pozitive. Kjo do të thotë se zyrtarizimi i vendimit të Mbappe për t’u larguar nga PSG, do të vijë rreth fundit të sezonit dhe jo në këtë fazë.

Më tej, duke parë që Mbappe po luan ndeshjet e fundit në Parc des Princes, PSG është vënë në lëvizje dhe është duke shqyrtuar tregun e futbollistëve, në mënyrë që të gjejë pasuesin e 25 vjeçarit.

Nga ana tjetër, Mbappe e ka zgjedhur Realin për çështje zemre dhe thënë këtë, lojtari në fjalë nuk pritet të nënshkruajë ndonjë kontratë marramendëse me klubin e Los Blancos. Për aq sa bëhet e ditur deri në këtë fazë, oferta e Realit për Mbappe është më e ulët se ajo e vitit 2022, por që gjithësesi lojtari e ka pranuar.