Odise Roshi është i pari futbollist shqiptar në historinë e Rijekës që aktivizohet në një kampionat evropian.
Debutimi i mesfushorit fierak në ndeshjen që kombëtarja shqiptare e zhvilloi ndaj Zvicrës, ka hyrë në analet e historisë te klubi kroat, Rijeka.
“Edhe pse klubi ynë ka pasur ndër vite futbollistë kontingjent të skuadrave kombëtare, duke përfshirë Kroacinë dhe disa shtete të tjera, i pari që ka mundur të luajë në një kampionat evropian është mesfushori nga Shqipëria”, shkruhej në faqen zyrtare të klubit kroat.
“Roshi debutoi me fanellën kuqezi në ndeshjen ndaj Zvicrës, duke luajtur deri në minutën e 74-të”, përmbyll shkrimin faqja zyrtare e Rijekës.
Edhe pse te Rijeka e mbylli sezonin edhe sulmuesi tjetër i Kombëtares, Bekim Balaj, çuditërisht ky nuk u përfshi në artikullin kushtuar pjesëmarrjes në Evropian, apo ndoshta përfshirja e Roshit ishte vetëm shkaku i rekordit. /Telegrafi/