Përfundimisht, ky do të jetë viti i Paul Pogbasë, këtë gjë e mendon edhe vetë francezi. Pas largimit të Andrea Pirlos, Arturo Vidalit dhe Carlos Tevezit, e gjithë pesha e skuadrës së Juventusit i kalon tashmë atij. 22-vjeçari, thotë se në fushë nuk e ka problem, mund të luajë kudo, madje edhe si numër 10-të, ndaj e ndjen mirë përgjegjësinë që të gjithë presin nga ai.
Numri 10-të, deri vitin e kaluar është mbajtur nga Tevez, ndërkohë nga Zonja e Vjetër ende nuk është rënë dakord se kush do ta trashëgojë këtë numër në fanellë, teksa vetë Pogba mban numrin 6-të.
Këtë sezon Juventusi vjen me një revolucion total për sa i përket organikës së skuadrës. Sami Khedira, Paulo Dybala apo Mario Mandzukic janë disa nga emrat e rinj, por që Pogba thotë se nuk e kanë ndryshuar dhe aq shumë organikën e vjetër.
Duke folur për shtypin italian, shtatlarti i Juventusit vlerësoi shumë punën e bërë sezonin e kaluar teksa theksoi se edhe vitin e ardhshëm Juventusi do të jetë në krye. “Të gjithë kundërshtarët e shohin Juventusin në vend të parë, prej vitesh tashmë”, thotë Pogba, ndërkohë për sa i përket merkatos, francezi ka mbyllur cdo rrugë që e largonin atë nga Torino, duke forcuar edhe më shumë lidhjen me bardhe-zinjtë.