Ky Botëror që është kthyer në…Evropian!

Sport

world c 2018
Një Botëror i kthyer në… Evropian. Për më tepër, me një katërshe të pazakontë që pretendon trofeun. Fitorja 2-0 e Francës ndaj Uruguajit riktheu gjelat midis ekipeve më të mira të botës që pas 2006-s, kur humbën me penallti finalen ndaj Italisë. I bujshëm eleminimi i Brazilit, kandiadates kryesore për të mbajtur lart nderin e Amerikës së Jugut, por që u detyrua të dorëzohet me shifrat 2-1 përballë djelmoshave të artë të Belgjikës. Sipas parashikimeve avancuan anglezët me suksesin 2-0 ndaj Suedisë, duke i kthyer në gjysmëfinale pas 26 vjetësh. E duke shtur më shumë besimin se “Futbolli do të kthehet në shtëpi”, siç thotë moto e tifozëve anglezë. Më i vuajtur nga sa pritej rezultoi kualifikimi i Kroacisë, që u bë skuadra e dytë pas Argjentinës së ’90-s që përparon në turneun botëror pasi kalon dy ture me penallti. Por mbi të gjitha e sheh veten në katërshe pas 20 vjetësh.

wc stadio
Që është më shumë se kurrë një Kupë Bote e surprizave, këtë e konfirmojnë faktet. Për herë të parë që prej 1930-s, atëherë kur u luajt Botërori i parë i historisë, në katër më të mirat e botës nuk figurojnë të paktën një nga emrat e mëdhenj, Brazili, Gjermania, apo Italia, përfaqësuese që kanë fituar më shumë trofe deri më sot. Si të mos mjaftonte kaq, dy nga katër skuadrat e kualifikuara në këto gjysmëfinale, si Belgjika e Kroacia nuk kanë mbërritur kurrë në finale. Kurse Franca e Anglia e kanë fituar vetëm 1 herë Botërorin. Mirëpo kurrë larg shtëpisë së tyre. Për momentin duket se janë pikërisht “Gjelat”, të pathyer në sfida zyrare me belgët, si dhe “Tri Luanët” më të uritur se kroatët, ata që parashikimet i shohin në aktin final të “Rusi 2018”. Megjithëse Belgjika mund të ketë fituar më tepër bindje në forcat e veta, pasi nxorri jashtë Brazilin favorit. Ndërsa Kroacia shihet si më e lodhura nga të gjitha, për dy 120 minutësha radhazi që ka në këmbë. Sido që të shkojë, e sigurtë është se do të kemi një finale të paluajtur ndonjëherë më parë. E mbi të gjitha, kupa do të mbetet në “Kontinentin e Vjetër”, si në 4 rastet e mëparshme të ’34-s, ’66-s, ’82-shit dhe 2006-s.