Kush do të jetë gjyqtari i Shqipëri-Izreael?

Sport

viktor
UEFA ka zgjedhur që të jetë hungarezi Viktor Kasai, njeriu i cili do të vendosë drejtësinë në sfidën e Ligës së Kombeve midis Shqipërisë dhe Izreaelit që luhet të premten në “Elbasan Arena”. Bëhet fjalë për një emër që ka fituar prestigj ndërkombëtar gjatë viteve të fundit, megjithëse ka qenë edhe tepër i lakuar për shkak të polemikave që ka ngjallur me gjykimet e tij, sidomos në ndeshjet e Champions League. 42 vjeçari, që është gjyqtar i FIFA-s prej vitit 2003, kulmin e karrierës e pati në 2011-n, kur vendosi drejtësi në finalen e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Mançester Junaitid në stadiumin “Wembley”, që u mbyll me triumfin katalanas.

kasai

Kasai u bë protagonist edhe përpara dy edicionesh në Champions League. Me vendimet e marra në gjysmëfinalen e kthimit midis Realit dhe Bajernit, të luajtur në Madrid, ai u konsiderua si shkaktari i eleminimit të pamerituar të gjermanëve. Si rrjedhojë, imazhi i tij në arenën ndërkombëtare pësoi një zbehje, aq sa nuk mori pjesë as në Botërorin e këtij viti. Kasai rikthehet të gjykojë Kombëtaren tonë, pas gati 4 vjetësh. Dhe rivjen sërish në Elbasan, aty ku për herë të fundit erdhi më 11 tetor 2014, për të gjykuar përballjen e vlefshme për eliminatoret “Euro 2016”, atë që barazuam 1-1 ndaj Danimarkës. Ndeshje që përveç golave të Lenjanit (për Shqipërinë) dhe Vibe (për danezët), mbahet mend edhe për faktin se hungarezi nuk nxorri asnjëherë karton përgjatë të gjithë 90 minutave.