Kuqezinjtë humbasin edhe portierin para Islandës

Sport

Edhe kur mungojnë pak orë përpara ndeshjes që Shqipëria do të luajë përballë Islandës, nuk mungojnë lëvizjet në listën e Kombëtares së trajnerit Edi Reja. Të hënën nga grumbullimi kuqezi është larguar Etrit Berisha, i cili është kthyer në Itali, për t’u përgatitur me skuadrën e tij, Spal. Të paktën në versionin zyrtar, ky largim i tij ka të bëjë me faktin se ka pësuar një dëmtim, megjithëse ai nuk luajti ndaj Francës. Por gjithmonë sipas njoftit të FSHF, 30-vjeçari ka pësur problem në seancat stërvitore. Edhe pse qarkullojnë zëra se ka kërkuar vetë largimin, ngaqë Reja nuk e llogariste në portë as për sfidën me Islandën.


Tashmë, vendin e portierit të SPAL-it do e marrë portieri i talentuar që ka dalë nga Superiorja, Gentian Selmani, që tani luan me Menemenspor në Turqi. Ish-portieri i Laçit në Kategorinë Superiore, ishte i grumbulluar nga trajneri Alban Bushi për ndeshjen kualifikuese të shpresave ndaj Austrisë, megjithatë është përgjigjur prezent pas problemit të Berishës. Së bashku me Strakoshën dhe gardianin e Partizanit, Alban Hoxhën, ata do të përbëjnë e treshen e portierëve që do të jenë të gatshëm kundër Islandës. Gjithsesi duket se nuk ka vend për dyshime, sa i takon fanelës së titullarit që do të mbrojë shtyllat e Shqipërisë ndaj Islandës, përderisa zgjedhja e parë është Thomas Strakosha, pavarësisht 4 golave të pësuar përballë Francës. Shqipëria luan në mbrëmjen e nesërmëe në orën 20:45 sfidën kualifikuese për Euro 2020, ndaj Islandës.