Juventusi shpallet fitues i Kupës së Italisë, për të 15-tën herë në historinë e klubit. Në finale, Zonja e Vjetër mposhti me rezultatin minimal 1-0 skuadrën e Atalantës. Goli i vetëm i takimit u shënua që në minutën e 4 nga Dusan Vlahoviç, duke dhënë idenë se në Olimpico, finalja do të shoqërohej nga një spektakël golash, por që nuk ndodhi kështu.
Kjo ishte hera e dytë që Juventusi dhe Atalanta përballeshin mes tyre në finalen e Kupës së Italisë. Për herë të parë kishte ndodhur në 19 Majin e 2021-shit, teksa edhe atëherë, triumfator doli Juventusi, me shifrat 2-1.
Ky sukses, nuk ishte historik vetëm për Juventusin, që numëron më shumë kupa se cdo klub tjetër italian. Njëkohësisht, një titull i tillë, futi në histori edhe Massimiliano Allegrin, i cili tashmë e ka fituar 5 herë Kupën e Italisë si trajner, si askush tjetër në histori, duke kaluar në këtë mënyrë Sven-Goran Eriksson dhe Roberto Mançini, të ndalur në kuotën e 4 Kupave.
Në fund të takimit, livornezi foli për mediat, duke komentuar gjithashtu edhe të ardhmen e tij. “Jam i lumtur për lojtarët, sepse bënë një punë të mrekullueshme, duke sjellë gëzim si për klubin, ashtu edhe për tifozët. Të fitosh nuk është asnjëherë e lehtë, por kjo është në ADN-në e Juves. Shumë njerëz thonë se unë nuk do të jem më trajner i kësaj skuadre në sezonin e ri, por jam i lumtur që po lë një ekip të fortë dhe fitues. Për gjithçka tjetër u takon drejtuesve për të vendosur”, është shprehur Massimiliano Allegri.