Kupa e Italisë, Lazio mund pas 4 vitesh Romën

Sport

lazioweb

Simone Inzaghi arriti një fitore të rëndësishme duke mundur 2-0 Romën në gjysmë-finalen e parë të vlefshme për Kupën e Italisë. Në një Olimpico me goxha atmosferë, Lazio u tregua një skuadër me karakter duke neutralizuar jo vetëm aksionet e Romës, por duke shfrytëzuar si duhet edhe hapësirat në mbrojtjen e verdh-e-kuqve. Në fakt pikërisht nga një shfrytëzim i mirë i këtyre hapësirave u realizua goli i parë. Milinkovic-Savic, në minutën e 29-të, parapriu Strotmanin dhe Manolasin duke mposhtur portierin brazilian Alisson. Roma u mundua ta barazoi ndeshjen, por hasi shumë vështërsi. Spalletti ndryshoi skemë, por sërish sulmi nuk gjeti konkretizimin e kërkuar dhe nga ana tjetër Ciro Immobile ndëshkoi me një gol që mund të vendosë shumë në ndeshjen e fundit. Simone Inzaghi arrin kështu të mund Romën pas 4 vitesh. Në fakt fitorja e fundit mban datën 26 maj, pikërisht në finale të Kupës së Italisë dhe kjo i jep më shumë entuziazëm lacjalëve. Inzaghi pas ndeshjes u shpreh me superlativa ndaj të tijëve, por që gjithsesi u shpreh se sfida mbetet e hapur. Ndërkohë në anën tjetër Luciano Spalletti u mundua ta shohë me optimizëm. Ai tha se rezultati mund të përmbyset. Roma mbetet në luftë për të mbrojtur të paktën vendin e dytë në kampionat, çka siguron automatikisht Champions League-ën. Në fundjavë ajo ka një sfidë të rëndësishme me Napolin e vendit të tretë.