Një gol i Gareth Bale bëri të mundur që Reali i Madridit të sigurojë finalen e Kupës së Botës për Klube, por ndeshja kundër Al-Jazeeras rezultoi të ishte shumë herë më e vështirë se sa pritej. Fillimisht super-kampionët e Evropës panë një gol të Casemiros të anulohej për pozicion jasht loje, në këtë gjykim arbitri Sandro Ricci iu referua dhe sistemit të video-asistencës. Reali i Madridit synoi shpesh portën e vendasve nga Abu Dhabi, por ishte Romarinho ai i cili zhbllokoi shifrat duke befasuar madrilenët në fund të pjesës së parë. Në të dytën, një kundërsulm i shpejtë po nga Al-Jazeera prodhoi një gol tjetër për vendasit, por Boussoufa ishte një këmbë përtej linjës me Romarinhon dhe po përmes sistemit VAR ky gol u anulua. Për Realin fatet e lojës ndryshuan kur portieri Khaself u lëndua dhe në vend të tij u hodh Al-Senani. Fillë pas ndryshimit të portierëve Ronaldo barazoi shifrat duke u kthyer në golashënuesin historik të këtij kompeticioni me 6 gola. Me rezultatin 1-1 madrilenët synuan më tepër portën por fati nuk ishte sidomos me Benzeman që goditi disa herë shtyllën. Do të ishte aktivizimi i uellsianit Bale që ndryshoi gjithcka. 28-vjecari realizoi pas asistimit të Vazquez dhe madrilenët siguruan kështu fitoren, fitore që i vë ata përballë Gremios në finale. Sfida me brazilianët luhet më 16 dhjetor.