Nuk ka fitues mes Spanjës dhe Gjermanisë. Ndeshja e javës së 2-të të Kupës së Botës, e vlefshme për Grupin E, është mbyllur në barazim 1-1.
Iberikët e nisën takimin shumë vrullshëm. Që në minutën e 7-të, Dani Olmo shkarkoi një të djathtë të fortë, por Manuel Neuer u përgjigj saktë, duke e devijuar topin, që më pas u ndal në traun e portës.
Pjesa e parë pati ritëm të kënaqshëm, por goli nuk erdhi. Që një gjë e tillë të ndodhte, duhet të vinte minuta e 62-të. Alvaro Morata, që kishte vetëm 8 minuta që ishte aktivizuar, me një prekje mjaft elegante e dërgoi topin në fundin e rrjetës. Me këtë finalizim, Morata është bërë tashmë vetëm lojtari i 6-të në Kupën e Botës që shënon si zëvendësues në dy ndeshje radhazi dhe i pari në historinë e Spanjës.
Megjithatë, gjermanët nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit. Edhe në krahun e panzerave, do të shënonte një sulmues, i ardhur pikërish nga stoli. Në të 83-tën, me një të djathtë të fuqishme, Niclas Fullkrug e dërgoi topin në këndin e sipërm të portës, duke ia bërë thuajse të pamundur gardianit Unaoi Simon për të reaguar.
Në kushte si këto, Fullkrug është lojtari i parë gjerman që shënon si zëvendësues në një Kupë Bote që prej vitit 2014-të. Diçka të tillë e bënte Mario Gotze në finalen e Botërorit të 2014-tës ndaj Argjentinës.
Ky ishte një rezultat që e dërgon Spanjën në vendin e parë të Grupit E në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Japonia dhe Costa Rica kanë nga 3 pikë. Gjermania e mbyll në fund me 1 pikë. Panzerat tashmë janë rikthyer në lojë për t’u kualifikuar në raundin e 1/8-tave dhe për ta bërë këtë, duhet të fitojnë ndeshjen e radhës ndaj Costa Ricas. Megjithatë, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme nëse Spanja nuk fiton ndaj Japonisë.