Kupa e Botës/ Anglia e nis me fitore, “paqe” mes Amerikës dhe Wales

Sport

Hollanda e ka nisur me këmbën e mbarë Kupën e Botës, Katar 2022. Në ndeshjen e parë të Grupit A, atë ndaj Senegalit, tulipanët arritën të fitonin me rezultatin 2-0. Për të besuarit e Louis Van Gaal, fillimisht shënoi Cody Gakpo në minutën e 84. Në ndeshjen e tij të parë në një Kupë Bote, fantazisti shënoi me kokë, ndërsa në 106 ndeshje të luajtura në kampionatin hollandez, po ashtu ka shënuar vetëm një herë me kokë.

Ylli i PSV po kalon një formë të përkryer këtë sezon, teksa në 24 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, ka realizuar 14 gola dhe ka kontribuar me 17 asist për shokët e skuadrës.

Më tej, golin e dytë të Hollandës e shënoi Davy Klassen në minutën e 99-të. Që pas vitit 1966-të, ky është goli i dytë më i vonë që shënohet në Kupën e Botës në kohën shtesë, pas atij të Mehdi Taremi, në minutën e 102 e 30 sekonda ndaj Anglisë.

Në këtë mënyrë, Hollanda, kalon me sukses pikën më të fortë të grupit, ndërsa në ndeshjet e radhës do luajë ndaj Ekuadorit dhe Katarit.

Sa i përket sfidës tjetër, asaj të Grupit B, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Wales janë ndarë në “paqe”, në sfidën që u mbyll në barazim 1-1.

Amerikanët kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë me anë të Weah, ndërsa Wales u riktheu barazpeshën në pjesën e dytë me anë të Gareth Bale. Britaniku shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke ndëshkuar vendin që aktualisht po aktivizohet po vazhdon karrierën sa i përket futbollit të klubeve.

Bale, është golashënuesi më i mirë i Wales me 41 finalizime. Për të kuptuar se sa i rëndësishëm është shtatlarti në skuadrën e dragonjve, mjafton të përmendim këtu që 85% të golave të tij me Kombëtaren, Bale i ka shënuar në ndeshjet zyrtare. Pra, 35 gola në ndeshje kompetitive dhe vetëm 6 në ato miqësore.

Sa i përket Shteteve të Bashkuara, në 18 ndeshjet e fundit në Kupën e Botës ndaj skuadrave europiane, nuk ka arritur që ta mbajë asnjëherë portën të paprekur. Sa i përket ndeshjeve të radhës të Grupit B, Amerika do luajë përballë Anglisë dhe Iranit, ashtu sikurse edhe skuadra e Wales.