Kundërshtaret e shortit për Skënderbeun

Sport

shorti-chamions
Bazeli i Zvicrës, Selltik i Skocisë, Dinamo Zagreb i Kroacisë , Bate Borisov e Bjellorusisë dhe Apoel i Qipros. Janë këto emrat e skuadrave të kualifikaura në CHAMPIONS LEAGUE, nga të cilat do të dalë kundërshtari i ardhshëm për Skënderbeun në “play-off”. Shorti i kësaj faze, që hidhet të premten e 7 gushtit, do të transmetohet direkt nga Nioni, ora 12:00 në TRING SPORT. Ekran ku, jo vetëm do të zbardhet kjo enigmë e shumëpritur, por edhe do të përjetoni emocionet e Champions, duke filluar prej 18 gushtit.
Po si u kualifikuan për në “playoff” kundërshtarët e mundshëm të korçarëve?
Një formalitet e pati mbrëmjen e së mërkurës, Bazeli. Megjithëse pa Gashin në stol e Xhakën të pezulluar, zviceranët u mjaftuan me një rezultat minimal 1-0 ndaj Leh Poznan, falë goli të Bjarnason, teksa kishin fituar me dy gola diferencë që në transfertën e një jave më parë në Poloni .
Edhe për Selltikun, suksesi i arritur në Skoci ndaj Karabakut të Agollit rezultoi vendimtar, pasi në ndeshjen e luajtur në Azerbaixhan nuk u shkua përtej barazimit 0-0. Skocezët, pas eliminimit të një shqiptari, Ansi Agollit, mund të gjejnë përballë një skuadër të tërë shqiptare.
Njohje e vjetër për Skënderbeun është Bate Borisov që fitoi 1-0 në shtëpi ndaj Videoton, pas barazimit të fiksuar në javën e kaluar në Hungari. Bjellorusët i eliminuan korçarët vjet në turin e dytë, vetëm nga një gol në fushën kundërshtare. Kështu që nuk janë edhe aq të frikshëm, ndonëse kanë përvojën e disa pjesëmarrjeve në fazën e grupeve të Champions. Nuk duket se ka emrin e dikurshëm as Dinamo e Zagrebit, që u kualifikua falë dy barazimeve 1-1 e 3-3 ndaj Moldes. Diferencën e bënë vetëm tre golat e shënuar në transfertë nga ana e kroatëve.
Ndërkohë, Apoel është i vetmi prej pesëshes së rivaleve të mundshme të Skënderbeut që avancoi, edhe pas një humbjeje në takimin e dytë. Qipriotët u mposhtën brenda në fushën e tyre nga danezët e Mid-tilland, ndaj të cilëve për fat kishin fituar një javë më parë 1-2 në transfertë.