Kumbulla e Hysaj, ja e ardhmja që piketohet për kuqezinjtë

Sport

Të rinj dhe të mësuar për të luajtur në mbrojtjen me 3. Këto janë kushtet kryesore mbi të cilët Interi po kërkon mbrojtësit e të ardhmes. Kështu duket se zikaltërit janë kthyer në “pole-position” për shqiptarin Marash Kumbulla. Pikërisht ai shihet si zëvendësuesi i mundshëm i Diego Godin, i cili pritet të largohet nga Milano në qershor, pasi ka hasur vështirësi në përshtatjen për të luajtur me 3, përderisa gjatë të gjithë karrierës ka luajtur me 4 në prapavijë. Prandaj, Kumbulla konsiderohet si identikiti i duhur për të zënë vendin e uruguajanit. Në këtë drejtim, drejtuesit zikaltër kanë pasur shumë takime në janar me homologët e Veronës, por edhe me agjentët e vetë lojtarit. Veronezët, që kanë një akord paraprak me Napolin, kërkojnë jo më pak se 25 milionë euro. Mirëpo raportet e mira mes palëve mbushin me optimizëm zikaltërit, sa i takon një zbarkimi të mundshëm të Kumbullës në “Apiano Gentile”.
Ndërkohë, mbetet në diskutim e ardhmja e një tjetër lojtari të Kombëtares shqiptare si Elseid Hysaj. Shkodrani nuk është fort i bindur për të zgjatur kontratën me Napolin, pasi edhe bisedimet nuk kanë avancuar. Në këtë drejtim ka folur edhe agjenti i tij, Giuffredi. “Hysaj është një lojtar që për 3 vjet ka qenë ndër më të mirë në Serinë A. Edhe me Gatuson ka treguar se është i nivelit të lartë. Por është thuajse e pamundur të qendrojë. E shoh si më të drejtë që rrugët mes tij dhe Napolit, të ndahen”, theksoi Giuffredi.