KUMBULLA _PO BEN C’MOS PER T’U KTHYER SHPEJT

Sport

Marash Kumbulla nuk resht së punuari për të rikuperuar dëmtimin e krociatit të gjurit të djathtë që e pësoi prillin e kaluar në sfidën kundër Milanit. Gjendja e mbrojtësit shqiptar është në përmirësim e sipër me kalimin e kohës. Aq sa tashmë prej disa ditësh ai është kthyer të stërvitet me top. Gjithcka ai vazhdon ta përcjellë përmes rrjeteve sociale, ku poston video për fazën e tij të rehabilitim, që po shkon drejt finalizimit me sukses. Ndërkohë që në njërën nga videot e postuara nga qendra stërvitore e Trigorias, ai shkruan këtë mesazh: “Vazhdohet puna, pa u dorëzuar kurrë. Forca Roma!”. Mbrojtësi kuqezi po qendron jashtë fushave të blerta që prej 6 muajve. Kjo është periudha  më e gjatë që ai mungon në fushat e lojtës. Nëse herët e tjera ka munguar për maksimumi një muaj, lëndimi i fundit ka bërë që Kumbulla të jetë jashtë për një periudhë më të madhe. Lojtari i datëlindjes 2000 ka publikuar shpesh story dhe postime në profilin e vet të Instagramit, ku shfaq përmirësime të dukshme sa i takon procesit të riaftësimit. Pak pasime, por edhe ndonjë prekje, ndonëse pa u sforcuar shumë për lojtarin shqiptar, që gjithsesi mund të thuhet se është në rrugën e mbarë të rikthimit. Pritet që të jetë në dispozicion të Romës rreth dhjetorit, ose në fillimin e janarit. Por nuk përjashtohet të na befasojë duke u kthyer edhe më herët nga sa është prognoza e stafit mjekësor të klubit verdhekuq.

Ai ka munguar në të gjitha sfidat e këtij viti të Kombëtares shqiptare, që duhet të luajë edhe dy ndeshje zyrtare për eleminatoret e EUro 2024 me Moldavinë dhe San Marinon në nëntor, përpara se t’i japë fund këtij viti diellor.