Vetëm një gol larg kualifikimit mbeti Kukësi, që s´mundi të shkojë përtej fitores me shifrat 2-0 në takimin e kthimit të turit të tretë të Ligës së Evropës, përballë Torpedo Kutaisi. Kukësianët patën forca për të realizuar dy herë përballë skuadrës nga Gjeorgjia, në ndeshjen e luajtur të enjten në “Elbasan Arena”. Megjithatë në eliminim peshoi humbja 5-2 e fiksuar në ndeshjen e parë të luajtur në fushën e gjeorgjianëve. Golat që vendosën fitoren e vendasve u shënuan nga Reginaldo, të dy nga pika e bardhë e penalltisë.
Realizimi i parë erdhi në minutën 29-të, aq sa mjaftoi për të mbyllur në avantazh një pjesë të parë që përgjithësisht u kontrollua nga kukësianët. Ndërsa dyfishimi erdhi në të dytën, saktësisht në të 76 miunutë, sërish me autor lojtarin nga Mozambiku. Të besuarit e trajnerit Armando Cungu dominuan me raste deri në fund të 90 minutave, por shpërdoruan shumë e në disa momente i dënoi edhe fati. E gjithë kjo rezultoi fatale, sa i takon vijimit të mëtejshëm të aventurës evropiane. Tashmë, kukësianët duhet të përqendrohen te starti i kampionatit, ku kanë detyrën të rivalizojnë për titullin kampion, me synimin për të provuar sërish përvojën e Champions League gjatë edicionit të ardhshëm.