Kukësi nuk ia del dot në Champions, por mbush arkat

Sport

uksiecf

U shuajtën në Azerbajxhan shpresat e Kukësit për të vazhduar më tej në Champions League. Skuadra shqiptare u thye nga Karabagu me rezultatin 3-0 në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të kompeticionit më madhor evropian, ndërkohë që takimi i përpara një jave në Shkodër ishte mbyllur pa gola.
Qarabag që në fillim e dominoi Kukësin si me lojë ashtu edhe me raste. Në mesin e pjesën e parë erdhi dhe zhbllokimi i sfidës së zhvilluar në Stadiumin Republikan “Tofic Bahramovu”. Një penallti e akorduar në favor të vendasve u shndërrua në gol nga Dani Quintana (24′). Sikur të mos mjaftone kaq, Kukësi mbeti me një futbollist më pak në gjysmën e dytë, pasi Albi Alla u përjashtua me karton të kuq (52′), moment që solli edhe penalltinë e dytë të ndeshjes në favor të azerëve. Por këtë radhë portieri Frashëri u tregua i zoti për të neutralizuar gjuajtjen e Emergarës. Gjithsesi kaluan vetëm 4 minuta dhe erdhi penalltia e tretë e takimit, përsëri në favor të Qarabagut. Në pikën e bardhë u paraqit sërish Quintana, i cili nuk gaboipër të dyfishuar rezultatin. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar e vendosi Dzon Delarge, i cili e shënoi golin e tretë në minutën e 89-të. Në radhët e kampionve të Azerbajxhanit nuk u aktivizua Ansi Agolli. Ndërkaq, Kukësi do t’i vazhdojë garat në raundin e tretë kualifikues të Europa League, ku do të përballet me fituesen e çiftit Torpedo Kutaisi-Vikingur.
Përkundër eleminimit, përfitimet e deritanishme për Kukësin kanë qenë vërtet të majme. Deri më tani, nga aventura e këtij sezoni në Europë, Kukësi ka siguruar thuajse 1 milionë euro. Vetëm nga rrugëtimi në Champions League, verilindorët kanë fituar 660 mijë euro, konkretisht 280 mijë në turin e parë dhe 380 mijë në turin e dytë. Pa llogaritur që tashmë kukësianët do luajnë në turin e tretë të Europa League, tur ky që sjell 280 mijë euro të tjera në arkat e klubit. Pra në total bëhet fjalë për 940 mijë euro përfitime. Për të mos harruar gjithsesi është fakti që nëse kualifikohet për në play-off e Ligës së Europës, të ardhurat e verilindorëve mund të rriten shumë më tepër.