Kualifikueset e Champions League, AEK-u barazon Celticun, por Rodgers shprehet besimplotë për kualifikim

Sport

UEFA Champions League
Kundër AEK-ut në Athinë, Celticu s’ka asgjë për t’u frikësuar. Kështu është shprehur trajneri i kampionëve të Skocisë Brendan Rodgers, pasi keltët u barazuan 1-1 në sfidën e parë kualifikuese të fazës së tretë në UEFA Champions League. Në ndeshjen e luajtur në Celtic Park, 49 herë kampionët e Premiershipit iu falën golit të McGregor për të shpresuar për fazën “Play-Off”. Por grekët e Marinos Ouzounidis reaguan mirë dhe barazuan brenda pjesës së parë. Klonaridis ishte autori i golit në minutën e 44-ët. Në pjesën e dytë, Galanopoulos i la grekët me 10 lojtarë pasi u ndëshkua me dy kartona të verdhë. Pas kësaj, i gjithë AEK-u u kthye në mbrojtje dhe arriti ta mbrojë rezultatin pavarësisht se Celtic-u pati plot raste për të shënuar. Sidoqoftë, edhe pse nuk përfituan nga diferenca numerike, Brendan Rodgers u shfaq i kënaqur nga niveli i lojës së skuadrës së tij. “Luajtëm mirë, për mua ne e dominuam lojën dhe nëse luajmë po kështu në Athinë, s’do të kemi probleme dhe do të vazhdojmë më tej” u shpreh Rodgers. Celticu gjendet në fazën e tretë pasi eliminoi armenët e Alashkertit dhe norvegjezët e Rosenborgut. Keltët synojnë të jenë për të tretin vit radhazi në fazën në grupe të UEFA Champions League, gjë që nuk ndodh prej më shumë se 15 vitesh. Në dy ndeshjet e tjera PAOK fitoi 3-2 ndaj Spartakut të Moskës, kurse Salzburgu mundi 3-0 Shkëndijën e Tetovës.