Kukësi, Shkëndija dhe Drita! Plot 3 skuadra shqiptare, megjithëse nga shtete të ndryshme, do të kenë mundësinë të luajnë në turet kualifikuese të Champions League në këtë sezon. Gjithsej 32 skuadra pritet të luajnë në raundin e parë kualifikues, teksa 31 do të hyjnë direkt në këtë raund, plus fituesi i raundit paraeliminator. Ekipet janë të ndara në dy grupe, në ‘të forta’ dhe ‘më pak të forta’. Me dënimin në fuqi që i është dhënë nga UEFA, momentalisht përjashtohet mundësia që Skënderbeu të marrë pjesë në këtë kompeticion. Prandaj Shqipëria të paktën sipas ndarjes së vazove të bëra nga UEFA, do të përfaqësohet me skuadrën e Kukësit, që e mbylli këtë kampionat në vendin e dytë.
Verilindorët, falë koeficientit 4.250 që kanë në renditjen evropiane, renditen të 15-tët mes pjesëmarrëseve, duke u bërë pjesë e skuadrave të ashtuquajtura “më të forta”. Si rrjedhojë, të besuarit e Pakult do të përballen në këtë tur me një kundërshtar më të dobët, të paktën në letër.
Ndryshe nga Kukësi, fati nuk i ka buzëqeshur Shkëndijës në ndarjen e vazove. Ekipi nga Tetova është e para e vazos së dytë dhe pritet të përballet me kundërshtar shumë të fortë. Madje ekziston edhe rreziku i një përballjeje midis 2 skuadrave shqiptare, pikërisht Kukësi- Shkëndija.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Kosovës, Drita, sivjet do të nisë rrugën e saj drejt Ligës së Kampionëve nga faza parakualifikuese. Shorti për turneun parakualifikues, që zhvillohet në Gjibraltar, do të hidhet më 12 qershor. Kurse një javë më vonë, më datë 19, është në program të hidhet shorti i raundit të parë kualifikues së Ligës së Kampionëve, që do të jetë me interes edhe për Kukësin e Shkëndijën. Ndeshjet e para të kësaj faze do të luhen më 10 dhe 11 korrik, kurse ato të kthimit më 17 dhe 18 korrik 2018. Skuadrat e eliminuara nga ky raund do të kenë të drejtën të kalojnë direkt në raundin e dytë kualifikues të Europa Ligës.