Kualifikohen 4 skuadrat e para në fazën Play-Off të Konferencës së Lindjes në NBA

Sport

Janë kualifikuar 4 skuadrat e para në fazën Play-Off të Konferencës së Lindjes në NBA. Konkretisht janë Miami Heat, Boston Celtics, Milwaukee Bucks dhe Piladelphia 76-ers. Këta të fundit e prenë biletën drejt fazës tjetër, pas suksesit që arritën në transfertën e Cleveland Cavaliers, 112-108. Ai që bëri diferencën në parket për Philadelphian, ishte Joel Embiid, me 44 pikë, 17 rebound dhe 3 asist. Po ashtu, një kontribut thelbësor për të besuarit e Doc Rivers, e dha edhe James Harden, i cili realizoi një triple-double, me 21 pikë, 10 rebound dhe 10 asist.

Më tej, fitorja jashtë shtëpie ndaj Toronto Raptors ishte e 4-ta radhazi për Miami Heat, të cilët triumfuan 114-109. Heat e bëri diferencën në periodën e 3 dhe të 4, çka solli më pas përmbysjen e rezultatit.

Fitore të thellë ka arritur edhe Boston Celtics, duke mposhtur 144-102 ekipin e Washington Wizards. 3 më të mirët në parket rezultuan basketbollistët e Bostonit. Jaylen Brown, Jayson Tatum dhe Derrick White, shënuan konkretisht nga 32, 22 dhe 17 pikë.

Sa i përket kampionëve të Milwaukee Bucks, pavarësisht se kanë shkuar në Play-Off, Janis me shokë kanë pësuar humbjen e 2-të radhazi. E fundit është ajo në shtëpi ndaj Dallas Mavericks, 118-112.

Më tej, sa I përket fazës play-in, nga një biletë kanë siguruar Brooklyn Nets së bashku me Charlotte Hornets, të vendit të 9-të dhe të 10-të. Të dyja këto skuadra në ndeshjet e fundit janë mposhtur nga Atlanta Hawks dhe Philadelphia 76-ers. Ndërkohë, pas 2 fitoreve radhazi, është mposhtur edhe Chicago Bulls e vendit të 6-të. Bulls kanë marrë një shuplakë nga Miami Heat, 127-109-të. Ndonëse Zach LaVine dhe DeMar DeRozan ishin më të mirët në parket me 33 dhe 26 pikë, finalizimet e tyre do të mbeten thjesht për statistikë, sepse nuk i kanë ardhur dot në ndihmë Chicagos.