Kroacia do të ketë një lojtar më pak në dispozicon për ndeshjen me Shqipërinë. Mesfushori Nikola Vlasiç ka pësuar tërheqje muskulore, e si pasojë është larguar nga kampi stërvitor i përfaqësueses. Lëndimi ka rezultuar mjaft i rëndë, aqsa, Vlasiç nuk mund të jetë dot më gati për këtë europian, duke i dhënë fund kësisoj ëndrrës, për të lënë gjurmë në Euro 2024.
Lajmin për dëmtimin dhe largimin e Vlasiç nga kombëtarja, e ka dhënë vetë Kroacia me anë të një postimi në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, mesfushori që aktivizohet me Torinon në Serie A, ka thënë se ai do të jetë tifozi më i zjarrtë i ekipit përfaqësues kroat, duke treguar kështu mbështetje maksimale për shokët e skuadrës së tij.
Në ndeshjen e parë ndaj Spanjës, Vlasiç nuk luajti asnjë minutë në fushën e lojës, por gjithësesi, ai vijon të mbetet një element i rëndësishëm i skuadrës ballkanase.
Sa i përket Kroacisë, skuadra e Zlatko Daliç nuk e ka nisur me këmbën e duhur këtë europian, teksa në ndeshjen hapëse të Grupit B, u mund 3-0 nga Spanja. Sfida e dytë, garanton një përballje tërësisht ballkanase, sikurse është ajo mes Kroacisë dhe Shqipërisë.