Një gabim i pafalshëm i portierit dhe një lojë asnjëherë në nivelet e pritshme, kjo ishte Argjentina edhe në ndeshjen e dytë të Grupit D të enjten, që humbi 3-0. Përballja me Kroacinë rezultoi një katastrofë. Sërish trajneri Sampaoli befasoi me formacionin që hodhi në fushë. Tagliafico i Ajaxit, dhe dyshja Acuna dhe Salvio të Portos dhe Benficas ishin nga minuta e parë, së bashku me sulmuesin e Indipendentes, Maximiliano Meza. Në stol emra të mëdhenj si Rojo, Higuain, Di Maria, apo dhe Dybala. Pjesa e parë pa një lojë me shumë ndërhyrje të ashpra, teksa gjyqtari uzbekistanas, Imatov, në disa raste hezitoi të tregojë kartonin e kuq.
Shkërmoqja për Albicelesten erdhi në pjesën e dytë, kur 36-vjecari Willy Caballero bëri një gafë duke i dhuruar Ante Rebicit mundësinë për të shënuar. Festa e ballkanasve acaroi jashtmase, sidomos Sampaolin. Ai hodhi në fushë Higuainin dhe sërish Cristian Pavonin e Boca Juniors. Rreth 10 minuta më vonë u hodh në fushë edhe Dybala. Por asgjë nuk ndryshoi, përkundrazi në minutën e 80-të, Luka Modric shënoi një super-gol duke e rrumbullakosur fitoren për kroatët. Me minutat që kaluan, pati edhe plot nerva dhe zënka mes lojtarëve, ndërsa kapitullimi erdhi në shtesë kur Ivan Rakitic shënoi të tretin. Pas kësaj humbje Argjentina është me një këmbë jashtë botërorit, pasi tashmë kualifikimi nuk varet në duart e saj.