Kroacia beson në kalimin e grupit

Sport

Pavarësisht vetëm një pike të marrë në dy ndeshjet e para, Kroacia nuk ka hequr dorë nga kualifikimi. Pas përfundimit të duelit me Shqipërinë, që përfundoi 2-2, në konferencën për mediat, trajneri i përfaqësueses kroate, Zlatko Daliç u shpreh se ekipi i tij nuk e ka thënë ende fjalën e fundit dhe se do të japë gjithçka për të siguruar kualifikimin në fazën me eliminim të Europianit.

“Kemi bërë plot gabime. Nuk kemi qenë aspak të saktë në zotërimin e topit përgjatë këtyre dy ndeshjeve të para, por sidomos ndaj Shqipërisë. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme në këtë aspect, është fakti se jemi ende gjallë dhe në garë për t’u kualifikuar”, ka cituar Daliç.

Në ndeshjen e tretë të Grupit B, Kroacia do të luajë ndaj Italisë, në atë që parashikohet të jetë një finale e vërtetë për përfaqësuesen ballkanase.

Të njëjtin mendim me trajnerin Daliç ka ndarë edhe Luka Modriç, i cili, së pari, ka treguar një respekt të veçantë për azurët, por njëkohësisht ka shtuar se Kroacia beson se e ka të gjithë potencialin për të fituar edhe ndaj një kundërshtari të tillë.