Konsiderohet një nga njerëzit më të fuqishëm të futbollit kroat, por Zdravko Mamic është dënuar të mërkurën me gjashtë vite e gjysmë burg për korrupsion. Zdravko, ish-presidenti i Dinamos së Zagrebit u dënua së bashku me të vëllain Zoran Mamiç, i cili deri vonë ishte këshilltar i klubit, po kështu u dënua edhe ish-drejtori sportiv Damir Vrbanoviç dhe zyrtari i autoritetit fiskal kroat Milan Pernar me një total prej 12 vitesh burg së bashku. Ky grup u shpall fajtor për përvetësimin e rreth 17 milionë eurosh nga klubi.
Asnjë nga të pandehurit nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ndërkohë që Zdravko ka përfituar nga dyshtetësia e tij boshnjake dhe thuhet se është larguar nga vendi. Sipas raportimeve në Kroaci ky grup akuzohej se përfitonin nga shumat e transferimit të lojtarëve ku në mes nuk kanë bërë përjashtim as emra të njohur si Dejan Lovren, apo Luka Modriç. Ky I fundit qe thërritur edhe në gjyq për të dëshmuar. Klubi më i titulluar i Kroacisë konsiderohet të jetë organizatë jo-fitimprurëse që zotërohet nga tifozët. Në fakt prej vitesh ultrasit e Dinamos kanë pasur konflikte me vëllezërit Mamic dhe drejtuesit e tjerë, të cilët i kanë akuzuar për një “privatizim-të-heshtur” të klubit. The Bad Blue Boys dhe grupe të tjera tifozësh kanë kohë që bojkotojnë ndeshjet e skuadrës. Vendimin e së mërkurës, ata e kanë përshëndeturë bashkarisht.