Kriza te “Cityzens”, Vetëdyshim, gabime dhe ndryshime të mëdha

Sport

Manchester City vazhdon të jetë i zhytur në krizë. Cityzens nuk po dalin dot nga situata negative në të cilën janë mbështjellë, edhe kur kalendari tregohet “bujar” me ta. Në javën e 18 të Premier League, kampionët në fuqi të Anglisë, janë ndalur në shtëpi, në një barazim 1-1 ndaj Evertonit. Vendasit kaluan herët në avantazh, që në minutën e 14, duke krijuar idenë se këtë herë, dielli do të shkëlqente mbi Etihad.

Mirëpo, nuk ndodhi kështu, sepse në të 36-tën, Ndiaye shënoi golin e barazpeshës, ndërsa rezultati nuk do të ndryshonte më deri në vërshëllimën e fundit. Duhet thënë se rastet për gol të vendasve nuk munguan. Madje, mundësia më e mirë ishte ajo e minutës së 53, kur Erling Haaland gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Në një rrethanë të tilla, City mbetet me vetëm 1 fitore në 13 ndeshjet e fundit, ndërsa trajneri Pep Guardiola vijon me punën intensive për të gjetur formulën e duhur të rikthimit në rrugën e mbarë. Siç përcillet nëpërmjet mediave në Angli, lojtarët e Cityt, tashmë po e kalojnë kohën vetëm në kampin stërvitor të klubit, duke qëndruar dhe fjetur aty. Madje, të afërmit, apo familjet e tyre, i takojnë në mëngjes dhe pasdite, kurse pjesën tjetër, vazhdojnë stërvitjen intensive.

Të njëjtën metodë, City e ka aplikuar edhe në vitin 2014, teksa atëherë ia dolën të fitonin titullin kampion, por këtë herëm, duke marrë parasysh faktin që skuadra renditet në vendin e 6, 13 pikë pas kreut, duket shumë e vështirë që të mendohet për një tjetër triumf. Sidoqoftë, koha do të dëshmojë pë gjithçka.