Kriza nga Coronavirus, komplikohet e ardhmja e Cristiano Ronaldos tek Juventusi

Sport

Në verën e 2018-tës, Cristiano Ronaldo u transferua tek Juventusi, duke u larguar kështu pas një periudhe 9 vjeçare me Real Madrid. Sulmuesi, i kushtoi kampionëve të Italisë, diçka më tepër se 100 milionë euro, duke firmosur një kontratë prej 4 sezonesh, me një pagë prej 31 milionë eurosh në vit. Mirëpo, situata e pazakontë që bota është duke kaluar për momentin, për shkak të Coronavirus, e këtu përfshihet edhe futbolli, ka bërë që mbi të ardhmen e portugezit që hidhen dyshime. Prej disa javësh futbolli është i pezulluar, ndërsa ende nuk dihet me saktësi se kur do të rifillojë. Kjo ndalesë sigurisht që rëndon gjendjen ekonomike të klubeve, ndërsa bardhezinjtë janë dakordësuar me lojtarët, për të ulur edhe rrogat, deri në muajin qershor. Me këtë ndryshim, kjo do t’i sjellë Juventusit, një kursim prej 90 milionë euro. Mirëpo, kriza financiare mund të vazhdojë më tej, e mediat në Itali, raportojnë se “Zonja e Vjetër” mund të shohë në 3 variante të ardhmen e CR7, për shkak të pagës shumë të lartë të tij. Alternativa e parë është shitja e lojtarit për një shifër jo më pak se 70 milionë euro. Zgjidhja e dytë, mund të jetë përfundimi i kontratës, duke mos rinovuar më tej. Mundësia e tretë është që futbollistit mund t’i ofohet rinovimi edhe për një tjetër sezon, mirëpo duhet të pranojë ulje të pagës. Tashmë në moshën 35 vjeçare, ndoshta, në një të ardhme të afërt mbetet për t’u parë si do të jetë e ardhmja e Cristiano Ronaldos tek Juventusi.