Juventusi është në një tunel dhe për momentin nuk dallohet asnjë rreze drite në fund. Disfata e rëndë në Monza ka tronditur ambjentin, jo shumë sepse ekipi u dorëzua ndaj një skuadre që nuk kish fituar asnjë takim deri më tani, por më tepër për paraqitjen mediokre që bardhezinjtë ofruan në “U-Power Stadium”. 3 humbje në 4 ndeshjet e fundit dhe 5 takime pa fitore kanë bërë që në ‘bankën e të akuzuarve” të vendoset trajneri Massimiliano Allegri. Juvja nuk po prodhon lojë dhe në këtë pikë edhe mungesat e shumta më tepër ngjasojnë me një alibi se sa me një arsyetim se pse skuadra nuk po shfaq forcën dhe cilësinë që ka.
Për momentin tekniku livornez nuk rrezikon, por nëse situata nuk përmirësohet atëherë zgjidhja e shpejtë është gati. Ekipi do ti kalonte trajnerit të të rinjve, ish mbrojtësit të Juves, Paolo Monteros e më pas në fund të sezonit drejtimin e 36 herë kampionëve do ta merrte, një tjetër ish juventin në kohën kur lunate në fushë, Gian Piero Gasperini. Trajneri i Atalantës ka një lidhje të konsiderueshme me ambjentin bardhezi sepse edhe karrierën si trajner e nisi në sistemet zinxhir të Juventusit. 54 vjecari ka kontratë me zikaltërit deri në vitin 2024, por nëse thirrja e Juves vjen atëherë do të gjendej zgjidhja për ndërprerjen e marrëveshjes me klubin bergamask. Nëse dicka e tillë merr përmasa reale në verën e 2023-it do të ishte hera e dytë që Gasperini-t do ti jepej mundësia të drejtonte një skuadër të madhe, pas përvojës së shkurtër me Interin në 2011-ën.